Serbi, 5 të vdekur dhe 23 të plagosur nga aksidenti me autobus

21/06/2016 00:00

Plot 5 persona humbën jetën dhe 23 të tjerë u plagosën në orët e para të së martës, kur një autobus sllovak doli nga rruga dhe u rrëzua në Jug të Serbisë. Siç bëri me dije Ministria e Brendshme në një deklaratë, të gjithë të plagosurit po marrin mjekimet e nevojshme në spitalet e qyteteve Aleksinaç dhe Nish, rreth 200 km në Jug të Beogradit.

Autobusi po transportonte pushues nga ishulli grek i Korfuzit. Dennik N. raportoi se në autobus gjendeshin dy shoferë dhe 29 pasagjerë, mes të cilëve 12 shtetas çekë dhe disa hungarezë.

Të gjithë viktimat ishin nga Sllovakia. Ministria e Brendshme sllovake tha se ishte gati të dërgonte avionë qeveritarë në Serbi për të kthyer në atdhe shtetasit e saj.

Në deklaratën lidhur me aksidentin, policia serbe nuk dha detaje të tjera, duke thënë vetëm se ngjarja kishte ndodhur pas devijimit në autostradë të autobusit me targa sllovake, rrugë që lidh Serbinë me Maqedoninë dhe Greqinë.

Top Channel