IKMT vijon aksionin në Vlorë, PD u del në mbrojtje pronarëve

21/06/2016 00:00

Ka vijuar këtë të martë në Vlorë aksioni për prishjen e disa godinave në zonën ku po ndërtohet shëtitorja në qytetin e Vlorës.

Ndryshe nga dita e parë e aksionit, kur ndodhen edhe përplasje, në ditën e dytë situata ka qenë më e qetë, ndërsa aksioni ka vijuar të realizohet me mbështetjen e forcave të rendit.

Të mërkurën do realizohet ndërhyrja në një tjetër objekt ku pronarët refuzojnë të largojnë pasjisjet e kafenesë. Ata nuk janë dakord me vlerën e shpronësimit të ndërtesave në breg të detit.

Ndërkohë në zonë sot kanë shkuar përfaqësues të Partisë Demokratike. Sekretari për aksionin qytetar Ervin Salianji ka deklaruar se PD kur të vijë në pushtet do të bëjë shpronësime të objekteve në vlerën reale.

“Isha sot në emër të PD për të takuar pronarët të cilët preken nga shpronësimi i padrejtë shpërfillës i Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Siç e shihni këtu cënohen jo një, jo dy, jo tre, por qindra familje të cilat punojnë në këto biznese.

Kanë një vlerësim prej 6,7 milion euro, vlerësim i bankës, ndërkohë që Edi Rama e vlerëson me 290 milion lekë të vjetra. Ndërkohë dhe projekti i Lungomares ka tri vjet që zvarritet nga ana e Edi Ramës dhe Ramës së vet në bashki.

Në emër të Partisë Demokratike i garantoj qytetarët se Partia Demokratike do të bëj një ligj, sapo të vijë në pushtet në të cilin do të vlerësojë dhe do të shpronësojë me vlerën reale të gjitha ndërtime e prekura në mënyrë të paligjshme nga Edi Rama, të shkatërruara në mënyrë të paligjshme nga Edi Rama”, ka deklaruar Salianji.

Top Channel