Veseli, takim me kreun e Etikës së Kongresit amerikan Ashmawyn

21/06/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot drejtorin e Zyrës për Etikë në Kongresin amerikan, Omar Ashmawy, me të cilin bisedoi për punën dhe zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, si dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e etikës parlamentare.

Ashmawy e njohu kryetarin Veseli për përgjegjësitë dhe praktikën e punës së zyrës që ai drejton, që lidhen me parimet dhe normat e etikës parlamentare e të mekanizmave implementues, duke ndihmuar kështu institucionin në ruajtjen e integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve.

Ai po ashtu, foli edhe për angazhimet në promovimin e parimeve dhe normave të etikës parlamentare në parlamentet në zhvillim.

Kryetari Veseli, ndërkaq, falënderoi Ashmawy për interesimin e tij për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe gatishmërinë për mbështetje.

Ai e njoftoi zyrtarin amerikan për konceptin e tij të hapjes së institucionit ndaj qytetarëve, duke rritur transparencën dhe lehtësuar qasjen e mediave, shoqërisë civile dhe publikut të përgjithshëm, në punën e Kuvendit të Kosovës.

Veseli, po ashtu, konfirmoi qëndrimin e tij konstruktiv dhe bashkëpunues me të gjitha palët e përfaqësuara në Kuvend.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që bashkëpunimi midis institucioneve që përfaqësojnë të shënojë ritme të reja dhe të konkretizohet në një të ardhme të afërt.

Top Channel