Ibra do të tërhiqet nga kombëtarja pas Europianit

21/06/2016 00:00

Zlatan Ibrahimovic do të tërhiqet nga kombëtarja suedeze pas përfundimit të Europianit. Kjo do të thotë se ndeshja kundër Belgjikës të mërkurën mbrëma, mund të jetë e fundit edhe për Ibrën me fanellën e kombëtares, në rast se Suedia nuk arrin të marrë një fitore.

“Ndeshja e fundit në Europian do të jetë e fundit edhe për mua me kombëtaren, shpresoj të mos jetë nesër. Jam shumë krenar për çfarë kam arritur dhe gjithmonë do të mbaj me vete flamurin suedez”, u shpreh ai.

34-vjeçari është golashënuesi më i mirë i kombëtares me 62 gola të realizuar dhe, në rast se realizon ndaj Belgjikës, mund të bëhet lojtari i parë suedez që shënon në 4 Europianë të ndryshëm.

Megjithatë, Ibra dhe Suedia kanë zhgënjyer të gjithë deri më tani, duke marrë vetëm një barazim 1-1 me Irlandën, ndërsa humbën 1-0 ndaj Italisë.

Ibrahimovic pritët t’i bashkohet Manchester United këtë verë dhe të fokusohet vetëm me skuadrën e Mourinhos.

Top Channel