Zjarret dhe abuzimi rrezikojnë sherebelen në Mesopotam

21/06/2016 00:00

Sherebela, një prej bimëve më të rëndësishme medicinale në pllajat që rrethojnë Luginën e Mesopotamit në bashkinë e Finiqit, është duke reduktuar çdo vit sipërfaqen e saj prej vjeljes shkatërrimtare dhe zjarrit.

Specialistët flasin për nevojën urgjente të mbrojtjes së bimës me politika të rrepta.
 
Kristo Naçi, banor i fshatit Velahovë, i vendosur në një nga kodrat që rrethojnë Luginën e Mesopotamit në bashkinë e Finiqit, në Jug të vendit, thotë se brez pas brezi familja e tij ka grumbulluar dhe ka jetuar prej sherebelës.

Bima medicinale, e njohur në trajtimin e më shumë se 40 sëmundjeve është pasuria më e madhe e maleve të Jugut.

“Këtu kemi pasur vetëm gur dhe sherebelë. Babai im rriti 10 fëmijë duke ju dhënë 130 vjet shkollë vetëm duke grumbulluar sherebelë, por sot çdo gjë është shkatërruar. Grumbulluesit e dhunshëm që e shkulin bimën me rrënjë, ata që vjelin jashtë sezonit, bagëtitë dhe zjarri  kanë dëmtuar 2/3 e sipërfaqes natyrale”, thotë Kristo Naçi.

Bashkia e Finiqit vendosi një moratorium 2-vjeçar që pengon grumbullimin e sherebelës në mënyrë që të mundësojë rehabilitimin e habitatit natyror, por grumbullimi i rregullt, mbjellja e sherebelës dhe mbrojtja nga zjarri do ta shpëtonin këtë bimë.

Nga ana tjetër, inxhinieri i njohur i pyjeve Kristo Kauri shpjegon se vjelja joselektive ka penguar shumimin e bimëve të sherebelës. Ai flet për një prag katastrofe që po rrezikon edhe bimë të tjera medicinale, si çajin e malit apo rigonin prej mungesës së mbrojtjes.

Saranda dhe Delvina historikisht janë njohur si prodhueset më të mëdha të sherebelës në vend. Abuzimi sipas specialistëve lidhet edhe me kompanitë grumbulluese të bimës të cilat për vite me rradhë kanë pranuar të mbledhin bimë para stadit të pjekjes duke e zgjatur sezonin e grumbullimit në mënyrë të rrezikshme.

Top Channel