Ministrja Gjosha: Të rinjtë e tashmja dhe e ardhmja, politika të kapë ritmin e tyre

21/06/2016 00:00

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori pjesë në konferencën “Një e ardhme më e mirë për Rininë në Ballkanin Perëndimor”, e cila u zhvillua në Bruksel. Kjo konferencë u organizua nga Eurodeputetët, Tanja Fajon dhe Franc Bogovic.

Në fjalën e saj ministrja Gjosha u shpreh se është detyrim dhe përgjegjësi e politikbërësve dhe përfaqësuesve të qeverisë të motivojnë të rinjtë, që të angazhohen maksimalisht, dhe të përfitojnë nga mundësitë të reja sepse pa ta nuk mund të ketë progres në çdo vend europian.

“Rinia i ka thyer prej shumë kohësh barrierat e dikurshme duke nxitur bashkëpunim rajonal. Ndaj Bashkimi Europian duhet të përcjellë mesazh prosperiteti, për një të ardhme më të sigurt dhe më solidare”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja Gjosha u shpreh se të rinjtë duhen inkurajuar sepse vetëm kështu mund të jenë më aktivë, produktivë dhe bashkëveprues në çdo hap që vendi hedh përpara.

 “Të rinjtë janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit, ndaj politika duhet të veprojë me shpejtësi për të kapur ritmin e tyre. Janë  pikërisht këta të rinj që i duhen Europës sot, në këto kohë sfidash jo të vogla.”, tha ministrja. 

Ministrja Gjosha theksoi se nuk ka integrim më të mirë të një shoqërie sesa përmes një edukimi të mirë, formimi profesional, pasi të gjitha këto rrisin perspektivën dhe  krijojnë më shumë mundësi punësimi në përputhje me tregun e punës.

“Të rinjtë janë e ardhmja dhe këtë të ardhme e shohin vetëm në Europën e bashkuar. Të rinjtë janë ambasadorët më të mirë për marrëdhënie të forta në rajon. Mbështetja për të rinjtë do të thotë që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë bashkë dhe më pranë Bashkimit Europian”, tha Gjosha.

Top Channel