Shkëlqim Çela është fituesi i edicionit të dytë të çmimit “Kadare”, shpallur nga Fondacioni Mapo për prozën më të mirë shqipe. Mbi gjithçka në këtë çmim, ai vlerëson emrin me të cilin brezi i tij u frymëzua dhe gjeti lirinë e munguar përmes letërsisë bashkëkohore.

“Ëndërronim të shkruanim si Kadare. Ai ka qenë një model për ne. Të fitosh një çmim me emrin e Kadaresë është një vlerësim në vetvete dhe ka vlerën e vet thjeshtë nga emri”, thotë shkrimtari Shkëlqim Çela.

Triologjia e tij fituese quhet “Embriologji”, një përjekje për të treguar evoluimin në faza të ndryshme të jetës, por një evoluim ky i diktuar në qelizë nga sistemi dhe koha e hekurt e diktaturës.

“Vetë libri si strukturë ka kalimin nga një brez më i plakur, më i avancuar në moshë tek një fëmijëri e hershme dhe libri mundohet që të kapë të trija fazat e zhvillimit të jetës së njeriut në një suazë të një sistemi të caktuar, që me presionin e tij arrinte që të formësonte të gjitha fazat e zhvillimit të një qenie njerëzore”, shprehet Çela.

Megjithëse ajo kohë është e largët, është ende mbizotëruese edhe në vetë shkrimtarin, i cili nuk mundet të distancohet tërësisht nga ajo kohë, por kjo i krijon edhe një alibi brezit të tij.

“Distancimi logjik është një gjë, por qënia jonë është pa asnjë diskutim e formësuar nga ajo periudhë”, shprehet shkrimtari.

Mes emrave si Bardhyl Londo, Mustafa Nano apo Vera Bekteshi, juria përzgjodhi si më të mirë veprën e Shkëlqim Çelës. Ai është autor i disa vëllimeve si “Mirdhembje”, “Ishulli Ruzvelt”, “Tuneli i dhëndurëve” etj. Me banim në SHBA ai e ndan jetën e tij mes statistikës dhe letërsisë.

“Ideja është që bota mund të fotografohet nga shumë kënde dhe mua më pëlqen ky këndi i statisticienit”, shprehet ai.

Top Channel