Edhe LSI kundër kamerave, dekreti i Nishanit rrëzohet vetëm nga PS

21/06/2016 00:00

Dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit që bën detyruese vendosjen e kamerave në mjedise publike dhe private ka nxjerrë në pah një ndarje të votave brenda mazhorancës.

6 deputetët  socialistë ishin të vetmit që votuan për rrëzimin e dekretit, ndërsa 4 deputetët e LSI-së abstenuan.

“Janë 3700 institutcione arsimore, që ligji i detyron të vendosin këto kamera. 5 mijë euro për secilin objekt, që do të thotë 20 mln euro. Të thotë ministri i arsimit që ka në buxhet 20 mln euro dhe hajde ta miratojmë”, deklaroi anëtari i LSI-së në këtë Komision, Luan Rama.

Një votë tjetër që nuk iu bashkua mazhorancës ishte ajo e deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili është bashkuar që në fillim të procesit me qëndrimin e opozitës që thotë se qeveria ka fshehur qëndrimet kritike të partnerëve për ligjin.

“Në këtë qeveri funksionojnë dy standarde. Mashtrohet dhe reklamohen gjëra që janë në shkelje të plotë me Kushtetutën me këtë projektligj, që është një paçavure”, deklaroi Flamur Noka.

Por sipas deputetëve socialistë, kthimi i ligjit nga Presidenti lidhet me qëndrimet e tij politike.

“Presidenti i ka kthyer kësaj maxhorance 20 ligje dhe asaj tjetrës asnjë ligj. Nuk e paragjykoj pasi ai është mbështetur në mënyrë të rregullt në nenin përkatës të Kushtetutës, në nenin 85 të Kushtetutës”, deklaroi deputeti socialist, Xhemal Qefalia.

Sipas Kushtetutës, që një dekret të rrëzohet, ai duhet të ketë 71 vota kundër.

Top Channel