Hungaria kërkon nga KE-ja hapjen e negociatave me Shqipërinë

21/06/2016 00:00

Ndryshe nga vendet e tjera anëtare të BE-së, të cilët e kanë lidhur pandashmërisht hapjen e negociatave të Shqipërisë për në BE me Reformën në Drejtësi, Hungaria ka kërkuar me insistim nga Komisioni Europian propozimin për hapjen e negociatave, pa përmendur Reformën në Drejtësi.

Këto deklarata janë bërë nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, gjatë takimit të zhvilluar në Budapest me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati. Kreu i diplomacisë hungareze ka shkuar dhe më tej, kur ka theksuar se interesat strategjikë të vendit të tij janë stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perendimor dhe se integrimi i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm në këtë aspekt.

Ministri Bushati nga ana e tij vlerësoi mbështetjen e Hungarisë në rrugën evropiane të Shqipërisë, si dhe marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve. Dy ministrat diskutuan mundësitë për të rritur më shumë bashkëpunimin ekonomik. E në kuadër të saj është rënë dakord që brenda dhejtorit të rifillojnë fluturimet ajrore direkte Tiranë-Budapest.

Top Channel