Angelina Jolie: S’tregon forcë kur denigron dikë për besimin e tij fetar

21/06/2016 00:00

Angelina Jolie bëri thirrje për tolerancë një javë pas të shtënave masive në një klub nate në Orlando, ku vdiqën 49 vetë.

Nuk tregon forcë kur denigron dikë për besimin e tij fetar, për kombësinë, orientimin seksual, gjininë apo çdo karakteristike ose dallim tjetër, qoftë ky real apo i imagjinuar, tha aktorja.

“Kur diskriminojmë, ne thjesht përpiqemi të tregojmë se jetët tona vlejnë më shumë se ato të të tjerëve, e kur denigrojmë traditat e besimit dhe kulturës se një grupi njerëzish, në vetëm dobësojmë fuqinë e shoqërive tona demokratike”, është shprehur Jolie.

Jolie, e dërguara e posaçme e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët, i bëri këto komente gjatë iftarit të shtruar me rastin e ditës botërore të refugjatëve, ku merrte pjesë dhe shefi i diplomacisë amerikane John Kerry.

Sekretari i Shtetit kërkoi të sqaronte ngërçin e shqyrtimit të imtësishëm të programit amerikan për të shpërngulurit nga konflikti në Siri. Kjo është kthyer në çështje nevralgjike në Shtetet e Bashkuara ku një numër gjithmonë e më i madh konservatorësh kërkon t’iu mohohet emigrantëve hyrja në Amerikë.

“Nuk ka absolutisht asnjë provë miqtë e mi, asnjë provë që të tregojë se refugjatët që kanë kaluar nëpër këtë proces stërmundues, mund të përbëjnë kërcënim për shoqërinë tonë më shumë se pjesëtarët e çdo grupi tjetër”, tha Kerry.

Jolie dhe Kerry dolën pas kësaj në fotografi me fëmijët e refugjatëve tashmë të sistemuar në SHBA së bashku me prindërit e tyre.

Top Channel