Kopshti i dhunës pa licencë, arrestohet administratorja

21/06/2016 00:00

Pas arrestimit të administratores  dhe shoqërimit të dy edukatoreve të kopshtit “Diren”, ku u konstatua se ushtrohej dhunë në mënyrë çnjerëzore ndaj një fëmije 3 vjeç, rezulton se ky kopësht ishte  i palicencuar.

Kati parë i një vile shërbente si kopësht fëmijësh. Paraditen e së martës  ai është mbyllur nga Inspektoriati Arsimit dhe është ndëshkuar me gjobë në masën e 1 milion lekëve.

“Institucioni rezulton fantazmë, që do të thotë që nuk është i licencuar. Akte të tilla të marrin dënimin e duhur dhe të shërbejnë që të nisin një inspektim të fuqishëm në të gjithë institucionet”, thotë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Ky kopësht ka funksionuar si i tillë për rreth 12 muaj, me 15 fëmijë dhe dy edukatore që kujdeseshin për ta.

Ministrja e Arsimit kërkon bashkëpunimin e prindërve që në raste të tilla të interesohen për  dokumentacionin ligjor më parë se të regjistrojnë fëmijët.

“Pa iu shmangur asnjë përgjegjësie që ka Ministria, Inspektoriati për të kryer inspektimin e standardeve, kërkojmë bashkëpunimin e prindërve për të denoncuar dhe që të kërkojnë bazën ligjore para se të lidhin kontratat me këto institucione”, theksoi Nikolla.

Dy ndër kriteret kryesore për të licencuar një subjekt si institucion arsimor parashkollor janë ambientet e përshtatshme dhe edukatorët të kenë diplomë të sistemit “Bachelor” të arsimit parauniveristar.

Por në to nuk kërkohet profili psikologjik i edukatorëve  dhe shpesh në kopshte apo çerdhe publike, gjen të punësuara gra pa arsimin përkatës, por ofrohen thjesht për të gjetur një punë kundrejt pagesave të vogla.

Gjatë këtij viti janë mbyllur 25 kopshte të palicencuar.

Top Channel