Tirana e të ardhmes, me 7 qendra kryesore dhe një superpark

21/06/2016 00:00

Erjon Veliaj zgjodhi në mënyrë simbolike ditën kur qytetarët i besuan drejtimin e Tiranës për të prezantuar projektin më të rëndësishëm të zhvillimit social dhe mjedisor të kryeqytetit.

Plani Urbanistik i realizuar në bashkëpunim me arkitektin italian Stefano Boeri propozon Tiranën me 7 qendra kryesore.

“7 qendrat janë: qendra kryesore(qendra klasike e Tiranës), qendra e Kombinatit, zona e Kinostudios, zona e Laprakës, pjesa e bulevardit të ri, e cila do të zhvillohet si një lagje e re, trekëndëshi i zonës industriale të Shkozës me Farkën, zona e Qytetit Studenti, Sauk Lundër”, shpjegoi Veliaj.

Por, për kreun e bashkisë, që këto qendra të funksionojnë realisht si të tilla, nevojitet mobilimi i tyre me infrastrukturën e nevojshme.

“Kjo do të thotë që shumë prej institucioneve arsimore, financiare, administrative, shërbime të tjera publike duhet të grupohen sipas propozimit tonë në këto 7 qendra”, tha Veliaj.

Projekti më sfidues është ai i krijimit të pyllit më të madh metropolitan në Ballkan të krijuar nga dora e njeriut.

“Nuk e di nëse mund ta imagjinoni këtu prezencën e pyllit orbital që përshkon të gjithë qytetin e Tiranës dhe ky pyll mund të kontribuojë me 2 mln pemë. Ka shumë rëndësi të kemi një oazë natyral”, tha arkitekti Boeri.

Konturi përshkon parkun e Dajtit, liqenin e Farkës, atë Artificial dhe lumin e Tiranës. Qytetarët do të kenë edhe dy unaza të gjelbra dedikuar përdoruesve të transportit publik, këmbësorëve dhe biçikletave. 

Top Channel