Alarm për bombë në Bruksel; një i arrestuar

21/06/2016 00:00

Personit të arrestuar pas alarmit për bombë në një qendër tregtare të Brukselit nuk iu gjet eksploziv me vete, por frika që ngjalli ky episod ishte e madhe.

Belgët i kanë mjaft të freskëta në kujtesë sulmet e 22 marsit në Aeroportin e Zaventemit dhe stacionin e metrosë së Malbekut, që morën 32 jetë njerëzish.

Reagimi i policisë pas njoftimit këtë mëngjes për një situatë të dyshimtë në kryeqytetin e Belgjikës qe i menjëhershëm. Rrugët përreth qendrës tregtare “City2”, të ndodhur në zemër të tij u mbyllën me urgjencë dhe kryeministri i vendit, Charles Michel nxitoi të thërriste në takim grupin e ekspertëve të reagimit ndaj krizave.

Pas ndalimit të të dyshuarit, një skuadër e çaktivizimit të bombave u thirr në vendngjarje për të verifikuar nëse ai kishte ndonjë lëndë plasëse. Sipas disa raporteve të pakonfirmuara, ai vetë ka pretenduar se kishte një brez me eksplozivë në trup.

Incidenti vjen një javë pasi autoritetet e antiterrorizmit në vend u paralajmëruan për mundësinë e planifikimit të sulmeve nga një grup i vogël ekstremistësh të Shtetit Islamik të cilët janë larguar nga Siria në drejtim të Francës e Belgjikës me synimin të godasin shënjestra në të dyja këto vende, përfshirë këtu një qendër tregtare.

Top Channel