Olimpiada, atletët janë objektivi i grabitësve

21/06/2016 00:00

Një atlete australiane, e cila ka garuar në gjashtë lojëra paraolimpike, u grabit me armë në qytetin brazilian të Rio de Zhaneiros. Liesl Tesch tha se një person i armatosur e rrëzoi nga biçikleta të dielën dhe ia vodhi atë. Viktimw e incidentit ishte edhe fizioterapistja e ekipit australian Sarah Ros, të cilës gjithashtu ju vodh biçikleta.

Liesl Tesch paralajmëroi të gjitha atletët e tjerë që janë dhe do të vijnë në Rio për Lojërat Olimpike që të kenë kujdes. Ajo tregoi se në fillim grabitësi i kërkoi paratë, por pasi u sigurua se ato nuk kishin me vete, i grabiti biçikletat. Dy viktimat e grabitjes në mes të ditës thanë se shumë njerëz e panë atë që ndodhi, por askush nuk tentoi të ndalonte grabitësit.

Siguria e atletëve dhe turistëve gjatë zhvillimit të Lojërave Olimpike në Rio është një çështje shumë e rëndësishme dhe autoritetet vendase ngulin këmbë se evenimenti do të jetë i sigurt për këdo, ndërsa kanë dislokuar 85 000 ushtarë dhe oficerë policie në Rio. Por raportet e fundit tregojnë një rritje të nivelit të krimit, sidomos tek të huajt.

Në maj, ishin tre anëtarë të ekipit spanjoll të lundrimit që u grabitën me armë në Rio. Sipas mediave braziliane, kriza ekonomike dhe mungesat në fondet për policinë kanë kontribuuar negativisht. Edhe shqetësimet për virusin zika kanë rënduar seriozisht mbi përgatijet për Lojërat Olimpike të Rios, por autoritetet ngulin këmbë se janë marrë masat e duhura.

Top Channel