Nderohen Rusi dhe Fagu; Rama: Bënë histori në sport

20/06/2016 00:00

Duke nderuar dy sportistët Asllan Rusi dhe Dashamir Fagu, kryeministri Edi Rama u shpreh se, edhe pse në kushte të pakrahasueshme me sot dhe duke luajtur në fusha qymyri ata arritën të shkruanin historinë.

Rama duke vlerësuar kontributin e vyer të dy volejbollistëve të Dinamos, Partizanit dhe të kombëtares shqiptare premtoi rindërtimin e pallatit të Sportit Asllan Rusi.

“Asllan Rusi dhe Dashamir Fagu ishin flamurtarë të përpjekjeve heroike të volejbollit për meshkuj, ku në kushte të pakrahasueshme me sot arritën majat. Shembulli i tyre është shembulli i Dinamos dhe Partizanit të jashtëzakonshëm të atyre viteve, tregon që pavarësisht vështirësisë së infrastrukturës, edhe në një fushë me qymyr mund të bëhet histori. Po përpiqemi të përmirësojmë infrastrukturën e lojërave me dorë, por sidomos në shkolla ku më të vegjlit mund të ushtrojnë aktivitet sportiv.Parku i ri olimpik i Tiranës do të shërbejë si një pallat sporti, edhe pse jo aq i madh sa ai Asllan Rusi të cilin do ta rindërtojmë. Federatat e shumësportëshit do të kenë më në fund një strehë dinjitoze”, u shpreh Rama.

Të dy sportistët e nderuar nga kryeministri në qendrën për Hapje dhe Dialog në kryeministri kanë humbur jetën në rrethana misterioze në fundin e viteve 80.

Top Channel