Tani jemi të gjithë në pritje. Do presim sot Anglinë të fitojë dhe Uellsin së paku të barazojë. Do presim Italinë dhe Belgjikën të mos i japin Irlandës dhe Suedisë më shumë se një pikë. Do presim Turqinë të mos i bëjë asnjë dhuratë Çekisë. Do presim e do presim, që ëndrra të vazhdojë.

Tashmë për ne flasin të gjithë. Ikën ditët e muajt e vitet e shëmtuara‎ kur flisnim për gjëra të shëmtuara, vrasje, dhunime, eksode, armë, vrasje e vrasje prapë. Sot nuk flitet për “killera”, po për Sadikun, nuk flitet për prostituta, por për femrat e bukura shqiptare të veshura kuqezi. Sot nuk flitet për drogat, po për ekstazën kolektive të një kombi, i cili rilindi në një javë në Europë. As kërcënimet e UEFA-s se duan të na ndëshkojnë për ndonjë tifoz që zgjodhi të fshehë fishekzjarrët aty kur jo çdokush guxon dot, nuk arrijnë dot të fshehin realitetin e ri të shqiptarëve: ne jemi më shumë europianë se disa kombe të BE-së. Edhe në pimë birra por nuk theremi me rusët. Edhe ne jemi nga Ballkani por nuk djegim stadiumet si kroatët. Edhe ne jemi nga Lindja por nuk jemi të dhunshëm si hungarezët.

Edhe ne kemi prostitutat dhe “killerat” si e gjithë bota, por nuk janë më ata ambasadorët tanë në sytë e saj. Prej vitesh më kot mundoheshim të bindnim makinën shpërfillëse të medias botërore se nuk është e vërtetë ajo që shkruanin për ne. Por kur na tregonin histori të caktuara e kishim të vështirë ti bindnim se jo të gjithë ne therim e presim koka, shesim drogë e çojmë motrat, gratë e shoqet prostituta.

E kishim të vështirë, edhe kur na thernin tifozët ashtu si bënë në Kretë vite më parë, kur vranë Palushin në mes të stadiumit, vetëm sepse ai tundi një flamur shqiptar, t’i bindnim se ne nuk jemi nacionalistë të sëmurë si grekët apo racistë si serbët. E kishim gati të pamundur, të bindnim UEFA-n dhe makinën e saj korruptive, të na jepnin tre pikët që meritonim në Beograd kur një komunitet i tërë meshkuj e femra të të gjitha moshave, ulërinin forma “uruese” të shkërdhimit kolektiv të shqiptarëve, ashtu si format e ndëshkimit kolektiv e gjenocidit ndaj kosovarëve 17 vjet më parë. Jo. Nuk na besonin ose më thjesht nuk na donin.

Ndoshta nuk na duan sërish, por prej një jave u mësuan shpejt të na respektojnë.

Derisa ju imponuam për një javë dhe u hakmorëm për një shekull të tërë përçmimi dhe harrese. Treguam se jemi këtu ku kemi qenë gjithmonë, dhe as kush nuk na trajton dot si fantazma ose si njerëz të dorës së dytë. Përballë kësaj Europe të plakur, të rrudhur, të frikësuar, raciste e ksenofobe, ushtria e shqiptarëve, erdhi e re, e bukur, shumëfetare, entuziaste, e paq dhe gazmore, seksi dhe e fuqishme, e vogël dhe e madhe. Shumë ngjyrëshe dhe për më tepër e bashkuar. Rreth një skuadre. Jo të Shqipërisë, por të shqiptarëve.

Të Lorikut, Armandos, Abrashit, Ansit, Burimit, Xhakës, Arlindit, Dukës, e De Biasit, italianit që këndon himnin e Asdrenit më mirë se shqiptarët. Le të ikin anglezët, le të pinë rusët e të ulërasin gjermanët. Ne jemi këtu për të qëndruar. Ne presim rezultatet me entuziazëm, sepse e dimë se edhe nëse ëndrra ndërpritet, festa do vazhdojë. Na përzunë nga Europa me ndihmën e komunizmit dhe nuk na pranuan as kur e zhdukëm atë, pa ndihmën e tankeve të NATO-s dhe pa korrupsionin e parave të Perëndimit. E bëmë pa gjak ndryshe nga rumunët dhe pa paratë e Gjermanisë ndryshe nga pjesa tjetër e Lindjes. E bëmë me zemër dhe me gjithë zërin tonë që bërtiste në dhjetorin e Studentëve: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

Ashtu si vumë zemrën para dhe fituam në Lion. Në qytetin e luanëve, ne kombi që s’rrisnim luanë por që ka luanin për simbol të trimërisë dhe shqiponjën për simbol të lirisë, erdhi i bukur dhe i paftuar dhe zbukuroi festën e trembur të futbollit europian.

Jemi ne, luanët e Lionit, që kemi ardhur për të mos ikur më. Në Tiranë kemi lënë vetëm ata që janë burimi, shkaku dhe pasoja e turpit tonë kolektiv. Por për fat, të vetmen gjë që u ka mbetur politikanëve në dorë ta dhjesin, është një reformë. Le ta dhjesin. Ne do ngremë sërish një birrë dolli për ta, nga pubet e Lionit.

Ne ikëm për Europë. Ata të bëjnë si të duan. Ne tashmë nuk jemi vetëm.

Ata po.

Top Channel