Kosovë, më 1 korrik nis seanca ndaj ish-kreut të Kushtetueses

20/06/2016 00:00

Gjykimi i ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës do të nis që nga 1 korriku. Enver Hasani në këtë proces gjyqësor akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për kohën sa ishte Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Lajmin për caktimin e seancës për KALLXO.com e konfirmoi  Bajram Tmava, avokat i të pandehurit Hasani.

Aktakuza e këtij rasti, më saktësisht çështja nëse Enver Hasani ka imunitet funksional, ka ngjallur një diskutim të ashpër në mes të kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimit dhe Enver Hasanit, të cilët shkëmbyen akuza të ashpra në mes tyre.

Hasani akuzohet nga Prokuroria Speciale për dy vepra penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe falsifikim i dokumentit.

Sipas aktakuzës, Enver Hasani në mënyrë të kundërligjshme në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidentes që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

Top Channel