Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës shpalli 4 fituesit e konkursit për skulpturat dekorative, që do të vendosen në parqet dhe sheshet e qytetit. Një projekt që, sipas profesionistëve të fushës, i mungonte Tiranës.

“Është filluar të mendohet seriozisht që qytetarët duhet të kenë ku të dëfrehen, me kë të fotografohen dhe çfarë të kujtojnë diçka, pra të zhvillohet edhe kujtesa e një qyteti”, thotë Helidon Haliti, piktor.

Konkursi ishte i hapur për këdo, por prioritet iu dha artistëve të rinj. Veprat e të cilëve, për shkak edhe të moshës, bartin riskun e pëlqimit të publikut. Për këtë arsye, projekti është menduar të ketë një fazë eksperimentale, ku verdiktin përfundimtar do ta japë publiku.

“Tirana ka mungesë. Atje ku kishte mungesë gjelbërimi, apo edhe ndërtesash e betoni, u plotësua keqazi kjo gjë. Ndërsa tani të paktën të plotësohet pozitivisht eksperimenti apo projekti i skulpturave të parkut”, tha më tej Helidon Haliti.

“Një vepër e ka riskun që edhe mund të dështojë, por edhe mund të ketë sukses”, thotë Vladimir Myrtezaj, pedagog në Universitetin e Arteve.

Po sa përfaqësuese dhe domethënëse janë projektet për qytetin, historinë apo kulturën?

“Nuk jemi ne ata, që ngrihemi në nivelin e publikut. Ne i qasemi publikut me nivelin tonë, ose me nivelin e artistëve që propozojmë. Le të shohim tani sesi do të reagojë publiku, sepse edhe ne jemi gjysmëspektatorë apo gjysmëgjykues”, thotë më tej Vladimir Myrtezaj.

Katër bocetet fituese do të marrin formën përfundimtare më 15 korrik, datë kur edhe do të ekspozohen në lulishten pranë Universitetit të Arteve.

Top Channel