Albano bëhet edhe më shqiptar

20/06/2016 00:00

Këngëtari i muzikës së lehtë italiane, Albano Carmelo Carrisi ka marrë nënshtetësinë shqiptare, duke i vënë në një tjetër status marrëdhëniet gjithmonë të veçanta mes tij dhe Shqipërisë. Në një intervistë për Top Channel, Albano rrëfen emocionet.

“Ishte një veprim shumë i bukur. Kohë më parë, ish-presidenti Bamir Topi më dha titullin special ‘Nënë Tereza e Kalkutës’, një tjetër moment shumë i rëndësishëm së bashku me nënshtetësinë. Por është për t’u theksuar se marrëdhënia Albano-Shqipëri gjithmonë ka qenë kënaqësisht e pëlqyeshme”, tha Albano Carrisi.

Personazhi i njohur është rritur me historitë për vendet dhe natyrën shqiptare, të sjella tek ai nga i ati.

“Që kur kam qenë fëmijë, gjithmonë kam dëgjuar të flitej për Shqipërinë, sepse babai im ka qenë i dërguar në Shqipëri, për fat të keq në luftë. Ai më ka siguruar se nuk ka vrarë asnjëherë asnjë njeri, sepse e respektonte shumë jetën njerëzore. Kujtoj gjithmonë që im atë, në vitin 1989 më thoshte ‘para se unë të vdes duhet të gjesh mënyrën të më çosh të vizitoj Shqipërinë dhe të gjitha vendet ku kam qenë ushtar’”, rrëfen Albano Carrisi.

Gjatë kohës së izolimit të Shqipërisë, Albano ndërtoi gjithashtu një lidhje me botën shqiptare.

Pak kohë më parë, ai u nderua me titullin “Urdhri i Skënderbeut”. Këngët si “Felicita”, “Ci sara” apo “Liberta”, kanë lënë gjurmë në “top list”-at europiane. Ai ka shitur rreth 165 milionë kopje të albumeve të tij dhe është vlerësuar me 26 disqe të arte dhe 8 platini, si dhe me shumë çmime të tjera muzikore.

Top Channel