Integrimi i refugjatëve, qeveria-qytetarëve: Trajtojini si të barabartë

20/06/2016 00:00

20 qershori është Dita botërore e Refugjatëve. Me këtë rast, në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkues në Babrru të kryeqytetit, nisi fushata ndërgjegjësuese që synon të ndihmojë integrimin e refugjatëve dhe t’u gjendet pranë për nevojat e tyre.

“Shqipëria është një vend i vogël, me një histori që ka kaluar edhe vet përmes vuajtjesh e sakrificash, të cilat nga ana tjetër kanë skalitur vlerat më të mira të solidaritetit, të vëllazërisë dhe të humanizmit. Historikisht ne kemi kontribuuar për personat që kanë qenë në nevojë”, tha Elona Gjebrea, zv.ministre e Brendshme.

Angazhimin e Shqipërisë në këtë vit dramatik sa i përket situatës së refugjatëve e vlerësoi edhe përfaqësuesja e UNHCR-së në vendin tonë.

“65 milionë njerëz janë të ekspozuar për shkak të luftrave që po ndodhin. Duhet të kemi parasysh se 87% e tyre nuk janë akomoduar dhe nuk kanë shkuar në vendet që janë në Europë, por ndodhen në vendet që janë në zhvillim. Shqipëria deri tani mund të them që ka qenë me fat. Deri tani nuk kemi pasur numrin e madh të refugjatëve që kemi parë në rajon. Jam shumë e prekur nga ajo që kam parë nga qeveria shqiptare, e cila ka bërë të pamundurën që këto raste të akomodohen dhe të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme për ta bërë jetën e tyre sa më komode”, tha Maria Helene, përfaqësuese e UNHCR-së në Shqipëri.

Shqipëria ka pritur azilkërkues nga të gjitha kombësitë dhe është angazhuar në ngritjen e kapaciteteve për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie personash, duke i pajisur për herë të parë edhe me karta identiteti e dokumente tranziti.

Top Channel