“Më pak është më mirë”, thonë ithtarët e “Lëvizjes Minimaliste” në Japoni, e cila ka nisur t’i shtojë shumë radhët e saj, me njerëz që vendosin të heqin dorë nga një pjesë e sendeve në zotërim, për të ndjekur një stil më të thjeshtë jetese.

Fumio Sasaki është një prej tyre. Apartamenti i tij në Tokio është aq i zymtë, saqë miqve iu pëlqen ta krahasojnë me një dhomë të marrjes në pyetje nga policia. Sasaki ka 3 këmisha, 4 palë pantallona, 4 palë çorapem e gjithsej zotëron 150 objekte.

Paratë nuk janë aspak problem për të. Këtë mënyrë të jetuari, botuesi 36-vjeçar e ka zgjedhur vet, duke iu bashkuar atyre që kanë vendosur të heqin dorë nga luksi e teprimi.

“Nuk është dhe aq e vështirë sa ç’duket. Ndihesh i kënaqur kur grumbullon shumë gjëra, por ama në fund rri e mendon për ato që të mungojnë. Kështu që unë tani jam i qetë, pasi mjaftohem me ato që kam”, tha Fumio Sasaki, botues.

Të influencuar nga filozofia e budizmit “Zen”, e të shqetësuar nga ideja e objekteve që rrëzohen në njërin prej vendeve më të prekura nga tërmetet në botë, “minimalistët” preferojnë të mbeten jashtë kornizave të një shoqërie ekstremisht konsumiste, e ta ulin ndjeshëm numrin e objekteve në zotërim.

Një zgjedhje e tillë nuk vjen sidoqoftë pa kosto, mes të tjerash edhe sociale, siç e provoi në kurriz Saeko Kushibiki. Dikur e apasionuar pas “shopping”-ut, në momentin kur ndryshoi stilin e jetesës, ajo e pa rrethin shoqëror t’i zvogëlohej, duke e ndierë tashmë largësinë nga shoqet që vazhdojnë të zhyten në blerje.

Top Channel