Mbrojtja e “neglizhuar” e Spanjës po shkëlqen në Euro 2016

20/06/2016 00:00

Mbrojtja shpeshherë e neglizhuar e Spanjës do të ketë ende një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë kampionat Europian. Sulmi dhe loja karakteristike e posedimit të topit nga ana e spanjollëve sigurisht që kanë marrë më shumë kredite në sukseset e “La Roja”-s, por mbrojtja është ajo që përballon ngarkesën më të madhe, në mënyrë që t’u lejojë mesfushorëve të talentuar më shumë hapësira për të shkëlqyer përpara.

Spanja do të zbresë të martën në ndeshjen e fundit të grupit D kundër Kroacisë, me synimin për të ruajtur ecurinë prej 14 ndeshjesh pa humbje në një kampionat europian. “La Roja” vjen gjithashtu nga një seri prej 7 takimesh pa pësuar gol, që prej ndeshjes së parë të Europianit të vitit 2012.

Mbrojtja ka dhënë gjithashtu një kontribut të jashtëzakonshëm duke shënuar edhe gola të rëndësishëm, siç ishte ai në ndeshjen e parë ndaj Republikës së Çekisë, kur Gerard Pique u hodh në sulm dhe shënoi me kokë, pasi lojtarët e tjerë patën hasur vështirësi.

“Jemi duke luajtur me një mbrojtje të niveleve tepër të larta”, tha anësori spanjoll Cezar Azpilicueta. “Do të jetë e rëndësishme të vazhdojmë kështu, sepse na jep më shumë besim në forcat tona, ashtu sikurse u jep shtysë lojtarëve të repartit të avancuar. Ata janë më të lirë për të krijuar më shumë raste për shënim”.

Spanja nuk është mposhtur në një Europian që prej humbjes 1-0 me Portugalinë në vitin 2004. Herën e fundit që “La Roja” ka pësuar një gol ishte në ndeshjen e barazuar 1-1 me Italinë në Euro 2012, duke shënuar kështu rekordin prej 689 minutash pa pësuar gol, si kurrë më parë në një Europian.

Pique dhe Sergio Ramos kanë qenë shtylla e mbrojtjes spanjolle gjatë viteve të fundit. Të dy ishin pjesë e ekipeve që fituan Euro 2012, sikurse dhe Botërorin 2010, dy kompeticione gjatë të cilave spanjollët kanë pësuar respektivisht një gol dhe dy gola. Ndryshe nga Pique, kapiteni Ramos ka qenë edhe në ekipin fitues të Euro 2008, edhe pse në atë kohë luante si mbrojtjës i djathtë, pasi në qendër të mbrojtjes ishin Carles Puyol dhe Carlos Marchena. Ndërsa tani në Francë, mbrojtja kompletohet me Juanfran Torres në të djathtin dhe Jordi Alba në të majtin.

Në fitoren 3-0 të Spanjës kundër Turqisë, Ramos u bë lojtari me më shumë ndeshje në kombëtaren “La Roja”, me 134 të tilla. Megjithatë, një statistikë për t’u harruar për mbrojtjen spanjolle është pikërisht Botërori 2014, kur Spanja dështoi të kalonte fazën e grupeve pas 7 golash të pësuar në tri takime, përfshi 5 në takimin e parë nga Holanda.

Top Channel