Notat e një mbrëmjeje historike

20/06/2016 00:00

Shqipëria më e bukur e futbollit e ngriti flamurin në Francë me një fitore të madhe kundër Rumanisë, duke lënë të hapur portën për të vijuar rrugëtimin në festivalin e futbollit evropian. Një ndeshje luanësh në Lion për kuqezinjtë.

Berisha 7 – Shumë i kujdesshëm në dalje. Në ato pak raste kur u thirr në apel u tregua i saktë. Ka fituar siguri.

Hysaj 7 – Ka një siguri të jashtëzakonshme në mbrojtje. I shpejtë, i saktë dhe me shumë potencë në mbrojtje dhe sulm.

Ajeti 8.5 – Monumental në të gjitha ndërhyrjet. Nuk gaboi në asnjë ndërhyrje, madje korrigjoi edhe gabimet që shokët bënë në disa raste.

Mavraj 7 – Një kollos në mbrojtje. Shumë i koordinuar me shokët e repartit. Një garanci për prapavijën dhe shumë imponues me qetësinë e tij.

Agolli 7 – Kapiteni i ri nuk kishte qetësinë e zakonshme, por gjithsesi, eksperienca e tij ishte shumë e rëndësishme në momente decizive të takimit.

Basha 7 – Duket sikur shkeli në të njëjtat gjurmë të Kukelit. Kontroll i mirë me topin, dyluftime të forta dhe shumë vrapim. Një ndeshje pothuaj perfekte.

Lila 7 – Ka bërë padyshim ndeshjen e jetës. Dublime të sakta në mbrojtje, vrapime në linjën anësore dhe shumë agresiv në lojën në ajër.

Lenjani 7 – Ka vrapuar pafund në të gjithë hapësirën e fushës. Ka mbyllur çdo veprim të kundërshtarit në të majtë të mbrojtjes dhe u pa shpesh në kufinjtë e zonës.

Abrashi 8 – Numërohën me gishta mesfushorët që vrapojnë sa Abrashi në këtë Evropian. I pazëvendësueshëm në rolin e tij.

Memushaj 8.5 – Ky është një futbollist me klas të lartë dhe një fuqi të jashtëzakonshme. Kombëtarja ka më shumë fantazi me këmbët e tij.

Sadiku 10 – Dhjetë me yll: i vetëm kundër të gjithë mbrojtësve më të mirë të Evropianit dhe u shpërblye me një super gol. Shkroi emrin e tij në histori, e bëri të gjithë Shqiptarinë të lumtur.

Balaj 7 – Presoi shumë lart te kundërshtari, e mbajti në presion mbrojten rumune dhe fitoi sekondat e vlefshme.

Roshi 7 – I qartë, i saktë, i bukur në vrapim dhe driblon. Një kualitet më shumë.

Cana 7 – Siguria e kapitenit është dhe vetëm me prezencë në pak minuta aktivizim. 

De Biasi 8.5 – Guxoi shumë, e përgatiti skuadrën deri në detajin më të vogël për një fitore historike. Jeta dhe karriera e tij është më e bukur me Shqipërinë.

Top Channel