Llogaritë, ja skenarët e kualifikimit në 1/8

19/06/2016 00:00

Armando Sadiku shkroi historinë kuqezi në Europian, një gol që e mban ende në lojë kombëtaren shqiptare për një kualifikim në raundin tjetër të Euro 2016. Shqipëria eliminoi Rumaninë dhe ngjitet në kuotën e 3 pikëve, por pavarësisht kësaj, kalimi në turin tjetër tashmë nuk varet më nga kuqezinjtë.

Për të vazhduar historinë duhet që sfida Turqi-Çeki të përfundojë në barazim dhe kryesuesit e Grupit E, Italia dhe Belgjika fitojnë ndeshjet e fundit ndaj Suedisë dhe Irlandës. Këto rezultate i japin mundësinë Shqipërisë së De Biasit të kalojë si një nga katër skuadrat më të mira që kanë zënë vendin e tretë në fazën e grupeve.

Ka edhe mundësi të tjera, të cilat janë pak më shumë të vështira. Një mundësi është që Rusia dhe Anglia të fitojnë me 3 apo më shumë gola diferencë ndaj Uellsit dhe Sllovakisë.

E dyta është që Gjermania të mposhtë me 4 apo më shumë gola Irlandën e Veriut, dhe e treta është që dy ndeshjet e Grupit E, Itali-Irlandë dhe Belgjikë-Suedi, të përfundojnë në barazim.

Pavarësisht nëse kalojmë apo jo, nga ky Europian, Shqipëria vetëm ka fituar. Ka fituar financiarisht duke u shpërblyer me 1 milion euro nga fitorja me Rumaninë, ka fituar eksperiencën dhe ajo që ka dalë më shumë në pah pas lojës së lojtarëve është tifozëria kuqezi në rrugët e Lens, Marsejës dhe Lionit.

Top Channel