Zvicra dhe Franca ndahen në paqe

19/06/2016 00:00

Përfundon në paqe Francë-Zvicër. Ashtu siç edhe pritej nuk dhuroi asnjë fitues  sfida e zhvilluar në Lille, mes gjelave të Deschamps dhe skuadrës së Petkovic, megjithatë kjo pak rëndësi kishte sepse në fund festuan të dyja skuadrat, Franca sepse u rendit e para në grupin A ndërsa Zvicra u kualifikua për në ruandin e 1/8-ve si e dyta e grupit.

Dy traversa dhe asnjë gol në “Pierre Mauroy”, fati nuk ishte me vendin e organizator pasi në dy raste traversa i tha jo golit të Francës. Rastin e parë e pati përfaqësuesja “helvete” në minutën e 8-të por fillimisht Schar dhe Djourou nuk arritën ta dërgonin topin në rrjetë.

Kundërpërgjigja e Francës erdhi me Pogbanë në dy raste por mundësia më e mirë për mesfushorin e “gjelave” ishte ajo e minutës së 17-të kur Pogba nga 25 metra me Sommer të mundur goditi traversën. Franca ishte më kërkuese edhe gjatë minutave në vazhdim por, pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura.

Fraksioni i dytë nisi me një rast të Zvicrës por që nuk shfrytëzua nga futbollistët miq, të cilët në minutën e 53-të kishin nevojë për ndërhyrjen e Sommer që ndali tentativën e Gignac.

Payet i futur në fushë nga stoli, në minutën e 77-të iu afrua shumë golit por ishte traversa ajo që ndali tentativën e tij fluturimthi. Pavarësisht përpjekjeve të Francës deri në fund nuk ndryshoi më asgjë dhe gjithçka u mbyll me shifrat 0-0.

Top Channel