Japoni, protesta kundër pranisë ushtarake amerikane në Okinava

19/06/2016 00:00

Dhjetëra mijëra demonstrues u mblodhën në ishullin japonez të Okinavës për të protestuar kundër pranisë së madhe ushtarake amerikane. Qytetarët u zemëruan pasi një ish-punonjes i marinës amerikane u arrestua për përdhunimin dhe vrasjen e një vendaseje 20-vjeçare.

Rasti ka intensifikuar edhe më shumë kundërshtitë kundër bazës ushtarake, duke nxitur thirrjet për largimin e personelit ushtarak të SHBA-ve nga ishulli. Rreth 26 mijë trupa amerikane gjenden në Okinava. Ata punojnë dhe jetojnë në baza, që mbulojnë një të pestën e ishullit dhe janë pjesë kyçe e aleancës së sigurisë amerikano-japoneze.

Demonstratat e së dielës nisën me një minutë heshtjeje për viktimën, Rina Shimabukuro, dhe me një mesazh nga babai i saj. Protestuesit valëvisnin pankarta me shkrime të tilla si “Zemërimi ynë i ka kaluar kufijtë”, apo “Largojini marinsat”.

“Jam i mbushur me zemërim dhe nuk dua të ketë më viktima. Për aq kohë sa do të ketë baza ushtarake amerikane, këto lloj incidentesh do të vazhdojnë të ndodhin”.

Një manifestim simultan u mbajt edhe jashtë Parlamentit japonez në Tokio. Banorët e Okinavës kërkuan gjithashtu anulimin e planeve të Uashingtonit dhe Tokios për të zhvendosur një qendër të Marinës amerikane në një zonë më të thellë të ishullit.

Edhe guvernatori i Okinavës, që ishte i pranishëm në manifestim, kundërshton planet dhe kërkon largimin e bazës nga vendi. Vendimi për zhvendosjen e objektit u mor pas përdhunimit të një 12-vjeçareje nga 3 ushtarakë amerikanë në vitin 1995. Zbatimi i planit është vonuar për shkak të kundërshtive lokale dhe manovrave ligjore.

Top Channel