Skandali i landfillit të Gjergjanit, u “ndërtua” vetëm ne letra

19/06/2016 00:00

Sipas dokumenteve të ish-Komunës Gjergjan, në vitin 2014, me një fond prej një milion e 250 mijë lekësh është ndërtuar një landfill, i cili grumbullon të gjitha mbetjet urbane të kësaj komune. Por, hetimet e prokurorisë që çuan në pranga 5 zyrtarë të kësaj ish-komune nxorën në dritë atë që ka ndodhur faktikisht: asnjëherë nuk është ndërtuar ndonjë landfill në Komunën Gjergjan dhe të gjitha paratë kanë përfunduar në xhepat e ish-zyrtarëve.

Zona ku grumbullohen mbetjet urbane të ish-Komunës Gjergjan është fare pranë lumit Shkumbin, në fshatin Muriqan. Mbetjet janë grumbulluar gjatë gjithë kësaj kohe atje dhe më pas janë djegur.

Ndaj 5 zyrtarëve të ish-Komunës Gjergjan, përfshirë edhe titullaren, Prokuroria ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “korrupsion pasiv”, dëm i cili llogaritet në rreth 35 milionë lekë të reja.

Sipas prokurorisë, këta ish-zyrtarë kanë abuzuar edhe me paratë e marra për pyllëzimin me shegë të rreth 50 hektarë tokë bujqësore, që rezulton të mos jetë kryer. Ndërkohë që hetimet vijojnë, kryetarja e komunës dhe një tjetër zyrtar janë shpallur në kërkim, ndërsa policia po punon për kapjen e tyre.

Top Channel