Kupa e Amerikës, mësohen gjysmëfinalistët. Spektakël golash në çerekfinalet

19/06/2016 00:00

Plotësohet kuadri i gjysmëfinaleve të “Copa America Centenario”. Argjentina dhe Kili janë dy skuadrat e tjera që iu bashkohen atyre të SHBA-ve dhe Kolumbisë në këtë fazë të evenimentit, pasi eliminuan Venezuelën dhe Meksikën respektivisht.

Argjentina e fitoi ndeshjen e saj me rezultatin 4-1. Higuain zhbllokoi rezultatin që në minutën e 5-të pas një pasimi të saktë të Messit. Nuk kaloi shumë kohë dhe bardhekaltrit shënuan edhe golin e dytë me të njëjtin autor, Gonzalo Higuain.

Venezuela pati mundësinë e artë për të shkurtuar diferencën me anë të një 11-metërshi, por Seiha gaboi në gjuajtjen e tij dhe portieri Romero e priti pa shumë problem topin. Nuk mund të mungonte në lsitën e golashënuesve të këtij takimi as Lionel Messi.

Kapiteni i Argjentinës i çoi shifrat në 3-0 në minutën e 60, duke shkuar në kuotën e 54 golave me përfaqësuesen “Albiceleste”, e duke barazuar kështu rekordin e Gabriel Batistutës. Venezuela shkurtoi diferencën në 3-1 me Rondon, por Lamela vulosi përfundimisht shifrat në 4-1. Në gjysmëfinale, Argjentina do të përballet me SHBA-të.

Në çerekfinalen tjetër, Kili shkatërroi totalisht Meksikën me rezultatin 7-0, për të kaluar mes 4 më të mirave të Kupës së Amerikës. Kjo ishte një ndeshje, ku në fushë u pa vetëm një skuadër: Kili. Edson Puh hapi festivalin e golave për kilianët në minutën e 16, gol që u pasua nga ai i Eduardo Vargas në të 44-tën pas një pasimi të Sanchez.

Pjesa e dytë ishte një ferr për Meksikën, që pa të pësonte gola të tjerë nga Kili i papërmbajtshëm. Sanchez i çoi shifrat në 3-0 pas pasimit të Vidal, ndërkohë që Vargas gjeti sërish rrugën e rrjetës dhe 4-0 për Kilin. Tortura e të besuarve të trajnerit Pizzi nuk u ndal këtu. Vargas shënoi sërish dhe ky ishte goli i pestë për skuadrën e tij, ndërkohë që Gonzales e çoi rezultatin në 6-0. Vargas vulosi përfundimisht shifrat në 7-0, duke bërë edhe “poker” personal në këtë takim. Në gjysmëfinale, Kili do të përballet me skuadrën e Kolumbisë.

Top Channel