Viziton Parkun kombëtar Yosemite, Obama: Ruajeni mjedisin!

19/06/2016 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama vizitoi Parkun Yosemite gjatë së shtunës, nga ku paralajmëroi mbi kërcënimet që i kanosen këtij parku kombëtar nga ndryshimet klimatike.

Obama dhe familja e tij mbërritën të premten në këtë park, ku edhe do të kalonin të gjithë fundjavën. Vizita është pjesë e përpjekjeve të Obamës për t’u siguruar mbi trashëgiminë e tij mjedisore, teksa data 20 janar po afron dhe atij do t’i duhet të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Udhëtimi drejt një prej parqeve kombëtarë më të vjetër të Amerikës, organizohet gjithashtu për të festuar 100-vjetorin e Shërbimit të Parqeve Kombëtarë, e këtu shfrytëzohet rasti për të bërë thirrje për frenimin e ndryshimeve klimatike dhe inkurajimin e më shumë investimeve në ruajtjen e pasurive mjedisore.

Gjatë një fjalimi të shkurtër në “Urën Sentinel”, e teksa nga pas shpine vihej re ujëvara rreth 740 metërshe e Yosemitet, Obama lartësoi virtytet e të shpenzuarit të kohës në natyrë.

“Mjafton të shihni këtë pamje. Ju nuk mund ta shijoni mjaftueshëm atë thjesht dhe vetëm duke e kapur në një foto me i-Pad, me ndonjë ekran gjigant apo edhe nëse do ta vizatonit diku. Ju duhet të vini këtu dhe të merrni frymë, të shijoni ajrin e pastër. Ky park është vendi ku gjenden ujëvarat “El Capitan” dhe “Yosemite”, një prej më të lartave në Amerikën e Veriut. Këtu ka drerë, fajkoj dhe mace (bobcats), por edhe pemë afro 2 mijë vjeçare. Është një park që mund të konsiderohet si mrekullia e botës”, tha presidenti amerikan.

Obama shpreson të inkurajojë më shumë njerëz të vizitojnë parqet kombëtare në vitet në vijim.

“Në këtë 100-vjetor u kërkojmë të gjithë amerikanëve të gjejnë veten në këto parqe, në mënyrë që kushdo, përfshi edhe ata nga komunitetet më të pamundura të mund t’i përjetojnë të tilla mrekulli”, tha ai.

Në udhëtimin e tij në Yosemite, Obamën e shoqëron edhe “National Geographic”, një kompani që po punon së bashku me “Facebook”-un për të xhiruar një video në formë syri të realitetit virtual. Ndërkohë që intervista që po i marrin Obamës aktualisht pritet të transmetohet në muajin gusht.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se Obama pritet të jetë i pari president amerikan që merr pjesë në një eksperiencë të “realitetit virtual”.

Top Channel