Basha, letër Presidentit të Gjykatës së Strasburgut për çështjen e pronave

19/06/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër më 7 qershor Presidentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, z.Guido Raimondi, duke ngritur shqetësimin mbi deklaratat e bëra nga kryeministri Rama në Parlament, se, sipas tij, ai ka arritur një marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut për të mos shqyrtuar më çështje të pronave të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë shqiptare.

Basha i bën të ditur Raimondit se këto qëndrime të Ramës janë mbajtur në Parlament, pas takimit që kanë patur me të më 9 maj në Strasburg, dy prej ministrave të qeverisë shqiptare.

Kreu i opozitës shprehet se kjo deklaratë e kryeministrit përbën një ndërhyrje të hapur përpara vendimit të Gjykatës sonë Kushtetutese në lidhje me ligjin e ri të pronave. Kryedemokrati ngre shqetësimin se ky qëndrim i kreut të qeverisë bëhet për t’i ushtruar presion Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht për të dëmtuar kredibilitetin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në opinionin publik shqiptar.

Në letër, Basha nënvizon se në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe rregullat e Gjykatës, nuk parashikohet asnjë rast që njëra prej palëve të arrijë marrëveshje të mundshme me Gjykatën në favor të saj, përpara shqyrtimit të çështjes.

Basha e siguron Raimondin se nuk kërkon ta bëjë Gjykatën e Strasburgut pjesë të debatit të brendshëm politik dhe shpreh besimin e palëkundur në paanshmërinë e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut dhe në shqyrtimin e pavarur e profesional të çështjeve prej saj.

Top Channel