Erdogan: Turqia, gati të ndërtojë aeroplanmbajtëset e saj

18/06/2016 00:00

Turqia po bëhet gati të zgjerojë industrinë e saj të mbrojtjes duke ndërtuar aeroplanmbajtëset e saj, ka deklaruar këtë të shtunë presidenti Recep Tayip Erdogan.

“Turqia, pasi ka ndërtuar anijen e saj amfibe Anadolu, do të jetë gati të ndërtojë edhe aeroplanmbajtëset e saj”, ka thënë Erdogan, në ceremoninë e përurimit të korvetës detare turke.

Turqia nisi ndërtimin e anijes “Anadolu” në prill, që është dhe anija e parë turke që do të jetë operacionale në vitin 2021 dhe e përshtatshme për uljen në të të avionëve “F-35”.

Presidenti Erdogan, pasi ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të industrisë turke të mbrojtjes, ka nënvizuar se vartësia e këtij sektori nga jashtë ishte rreth 80 për qind në vitin 2002, ndërsa tani ka rënë në 40 për qind.

“Turqia nuk mund të mbetet pas në industrinë e mbrojtjes dhe atë ushtarake, për shkak të vendndodhjes gjeografikisht strategjike të saj”, ka thënë Erdogan.

Top Channel