Bylykbashi-Majkos: Rama me drejtësinë, si Nastradini me gozhdën

18/06/2016 00:00

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ka reaguar mbrëmjen e së shtunës ndaj deklaratës së Pandeli Majkos, që replikonte ndaj kreut të opozitës Basha, duke e quajtur rezistencën për reformën në drejtësi si “debat për një gozhdë”.

“Sot lexova reagimin e një politikani të mazhorancës ku, në një perpjekje që ai vetë e konsideronte sinqerisht naive, kërkesën e opozitës për moskapje politike të drejtësisë nga kryeministri e krahasonte me një gozhdë. Më kujtoi ky krahasim atë historinë e gozhdës së Nastradinit, i cili pasi shiti shtëpinë, kërkoi të ruante vetëm një gozhdë në murin e dhomës ndenjëse. Pronari i ri ia lejoi, se fundja një gozhdë ishte. Por u pendua hidhësisht sepse, që prej asaj dite, Nastradini nuk i shqitej nga shtëpia, me sebepin e gozhdës ku kishte të drejtë të varte pallton e tij”, shprehet Bylykbashi në reagimin e tij.

Ai nënvizon se, pikërisht kjo është ajo gozhda që kërkon të ruajë kryeministri tek reforma në drejtësi: kontrolli mbi vetëm dy institucionet e vetingut.

“Që t’ua themi troç e thjeshtë shqiptarëve: kërkon vetëm të emëroje ai vetë ata persona që do të vendosin cilët gjyqtarë dhe prokurorë do të largohen dhe cilët do të qëndrojnë në detyrë. Kaq pak, asgjë më shumë. E ku qëndron problemi për kaq gjë?!”, shprehet Bylykbashi.

Në qëndrimin e tij, nënkryetari i komisionit për reformën në drejtësi vijon:

“Duhet naivitet i sinqertë për të krahasuar këtë hanxhar në dorën e kryeministrit me një palo gozhdë! Ose më keq se aq, duhet vendim i sinqertë por me bindje për të mos lexuar e kuptuar atë që po firmos dhe të krekosesh se po bën reformë në drejtësi! Por duhet paturpësi të thuash që kur i emëron kryeministri institucionet e drejtësisë, kjo e fundit nuk u politizoka!

Kam një pyetje për të gjithë, përveç naivëve të sinqertë: nëse kryeministri do të kontrollojë emërimin e atyre që do shkarkojnë apo lënë në detyrë gjyqtarët dhe prokurorët, a ka ndonjë shans që ministrat që kanë dhënë konçesione skandaloze me lekët e shqiptarëve të hetohen, arrestohen dhe dënohen me burg për korrupsion? Shanset janë afër zeros.

A ka investim më afatgjatë në padënueshmëri sesa ky për kryeministrin? A ka imunitet më efektiv se ky? Jo, nuk ka!

Dhe dy fjalë për kolegun. Tonin e reagimit e kishte sikur po shkruante për draftin e Kushtetutës së 1946, as si atë të 1976. Pushteti buron nga gryka e pushkës! Madje edhe me një koncept brezhnjevjan brenda: “ajo që është e imja është e imja. Ajo që është e jotja, mund ta negociojmë”.

Reforma në drejtësi nuk është e asnjë politikani, aq më pak e 33 firmëtarëve të draftit të Ramës. Kushtetuta është themeli dhe çatia e të gjithëve. Duhen patjetër së paku 2 kolona për ta mbajtur, ose do të rrëzohet në kokën e të gjithëve.

Tensionimin e procesit dhe të politikës në fakt po e nxit kryeministri, që po përpiqet të blejë e trafikojë mandate. Dhe zhurma e tymi i duhet të hutojë publikun.

Lufta për të garantuar moskapjen e drejtësisë nga politika, sot dhe nesër, ia vlen çdo përpjekje, kosto apo mjet demokratik. Nëse opozita nuk qëndron sot, nqs nuk flasim sot, nesër nuk do të ketë mbetur njeri për të folur kur të mos ketë zgjedhje të lira, kur i korruptuari të arrestojë denoncuesin, apo trafikanti i drogës të hipë e të zbresë nga Mercedesët e zinj qeveritarë”.

Top Channel