Islandë-Hungari ndahen 1-1, autogoli ndëshkon islandezët në ‘88

18/06/2016 00:00

Islanda dhe Hungaria kanë barazuar 1-1, në ndeshjen e parë të fazës së dytë të grupit F, të Euro 2016. Në pjesën e parë të dyja skuadrat kanë patur një ritëm të mirë loje, duke shprehur dëshirën për të treguar secila supremacinë e saj.

Rasti i parë për gol mban firmën e islandezit Bodvarsson, goditja me kokë e të cilit në minutën e nëntë përfundoi pak mbi traversë. Hungaria u përgjigj me dy goditje të Dzsudzsak brenda një minuti.

Por ishte Islanda që kaloi në avantazh e para në minutën ’39, me një penallti të dhënë për rrëzimin e Gunnarsson nga ana e Kadar. Nga pika e bardhë, goditja u kthye në gol nga Sigurdsson.

Islandezët ishin pranë dyfishimit në minutën ’60, kur një goditje me kokë e Sigthorsson ishte paksa i lartë. Nordikët më pas u fokusuan në mbrojtje, duke shmangur disa raste të rrezikshme të kundërshtarëve në minutat ’64, ’66 dhe ’75.

Por në minutën ’88 Hungaria arriti barazimin. Një kros nga e djathta i Nikoliç dhe Saeversson që fut në portën e tij topin, në përpjekje për t’i paraprirë Bodes. Në përfundim të kësaj ndeshjeje, Hungaria ka 4 pikë, ndërsa Islanda 2.

Top Channel