Eksportet në pak duar, INSTAT: 1% e kompanive japin gjysmën e tyre

18/06/2016 00:00

Vitin e kaluar Shqipëria eksportoi në total rreth 2 miliardë dollarë mallra në tregjet e huaja. Por gati 30 për qind e kësaj vlere u eksportua nga vetëm 5 kompani.

Përqëndrimi i lartë i eksporteve konfirmohet nga të dhënat e fundit zyrtare të Institutit të Statistikave. Sipas INSTAT, në total Shqipëria ka 2.411 kompani, që punojnë për eksport.

Por vetëm 1 për qind e tyre japin gati gjysmën e eksporteve totale të vendit, ndërsa 99 për qind e kompanive të tjera ndajnë mes tyre gjysmën e mbetur të eksporteve.

Varësia e eksporteve shqiptare tek një grusht kompanish ka lidhje me strukturën e tyre, por edhe atë të ekonomisë. Eksportet më të mëdha të Shqipërisë janë pasuritë e saj nëntokësore, përkatësisht nafta dhe mineralet, të cilat shfrytëzohen përmes konçesioneve nga një numër i vogël kompanish.

Këto kompani janë dhe eksportuesit më të mëdhenj të vendit, ndërsa në segmentet e tjera të ekonomisë, përjashto industrinë e fasonit, aktiviteti eksportues mbetet në nivele të ulëta.

Përqëndrimi i lartë i eksporteve, sipas Bankës Botërore, e ekspozon ekonominë përballë goditjeve që mund të vijnë nga tregje të veçanta.

Kjo u konfirmua veçanërisht vitin e kaluar, kur rënia e çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet globale çoi në uljen me 5 për qind të eksporteve në total.

Top Channel