Britani, vrasësi i deputetes në gjykatë: Vdekje tradhëtarëve

18/06/2016 00:00

“Vdekje tradhëtarëve, Britania e lirë”. Kanë qenë këto fjalët e para që Tommy Mair, personi i inkriminuar për vrasjen brutale të deputetes laburiste Jo Cox, ka thënë përpara gjyqtarëve në Westminster Magistrates Court, që i kërkonin deklarimin e emrit të tij.

Mair, i cili është shfaqur në seancë për formalizimin e akuzave në ngarkim të tij, është urdhëruar më pas të heshtë, raporton “Independent” në edicionin e saj online.

Sipas të njëjtit burim, i pandehuri përballet tashmë me një inkriminim të dyfishtë, me policinë britanike që në orët e fundit ka formalizuar akuzën e “vrasjes së qëllimshme” për agresionin me pasojë vdekjen e deputetes laburiste.

Mair, i konsideruar si i përfshirë në grupet e ekstremit të djathtë anglez, duhet të përgjigjet edhe për posedim armësh zjarri, plagosje me thikë dhe shkaktim plagësh të rënda ndaj një personi tjetër.

Bëhet fjalë për një burrë 77-vjeçar që ndërhyri në përpjekje për të mbrojtur deputeten nga agresori dhe që mbeti i plagosur.

Ndërkohë është zbuluar se një kolege e Cox kishte paralajmëruar së fundmi Downing Street për një rrezik sulmesh ndaj deputetëve, në veçanti grave, dhe për rrezikun e një “incidenti tragjik” në disa kolegje të Mbretërisë së Bashkuar.

Top Channel