Rumunët, 2.5 mln euro shpërblim për “kokën” e Shqipërisë

18/06/2016 00:00

Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë për Shqipërinë mbrëmjen e nesërme në Lion ndaj Rumanisë, jo vetëm për faktin se një fitore e tyre do t’i kalonte automatikisht në fazën tjetër, por tashmë lojtarët e kësaj kombëtareje kanë edhe një arsye më shumë për të luajtur më fortë.

Federata Rumune e Futbollit ka vendosur t’i motivojë lojtarët e saj me një shpërblim të majmë prej 1.5 milionë euro në rast fitoreje ndaj Shqipërisë, të cilat do t’i shtohen 1 milion eurove të ofruar nga UEFA.

Një praktikë të tillë Federata Rumune e Futbollit e ka ndjekur edhe në përfundim të eliminatoreve të Europianit. Futbollistët rumunë, të cilët u kualifikuan si të dytët e Grupit F madje pa pësuar asnjë humbje, përfituan nga 60 mijë deri 200 mijë euro, në varësi të minutazhit në fushë.

Megjithatë, mbetet për t’u parë ndeshja e së dielës, e cila do të nisë në 21:00 dhe do të transmetohet në Top Channel, për të mësuar se cila kombëtare do të dalë fituese.

Top Channel