Frika e Rakitic: Mund të na përjashtojnë

18/06/2016 00:00

Zhgënjimi te skuadra e Kroacisë për incidentin e ndodhur në ndeshjen me Çekinë ishte shumë i madh.

Trajneri dhe futbollistët e skuadrës ballkanase dënuan ashpër gjestin e hedhjes së flakadanëve në fushën e lojës nga tifozët kroatë duke i cilësuar këta të fundit si huliganë. Madje Ivan Rakitic deklaron se Kroacia pas kësaj ngjarjeje rrezikon skualifikimin nga Euro 2016.

“Të shohim nëse do të mund të luajmë ndaj Spanjës. Mund të jemi të detyruar të kthehemi në shtëpi pas asaj që ndodhi. Nuk kemi luajtur rastësisht me dyer të mbyllura”, ishin fjalët e mesfushorit të Barçës.

Rakitic komentoi edhe ndeshjen të cilën Kroacia nuk mundi ta fitojë edhe pse kryesoi 2-0.

“Përveç 20 minutave të fundit, në përgjithësi luajtëm shimë mirë. Por pas ndërprerjes së ndeshjes për shkak të tymit në fushën e lojës e humbëm ritmin. Gjithsesi nëse do të rigjejmë lojën tonë nuk do të ketë asnjë problem për ne”, përfundoi Ivan Rakitic.

Top Channel