Përurohet materniteti i ri në Gjirokastër

18/06/2016 00:00

Gjirokastra do ketë një maternitet tërësisht të ri dhe nënat e reja nuk do të udhëtojne më deri në Tiranë për të lindur. Ka qenë Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami, të cilët kanë inspektuar përfundimin e punimeve.

“Ju e dini më mirë se unë, këtu sikur shkonin në spital lufte, me dritaret e mbyllura me plastmasë, pa xhama e p a korniza. Tani është bërë një maternitet komplet europian. Patjetër do të vazhdojmë hap pas hapi me të tjerat. Është një kantier i madh shëndetësia dhe ka nevoja të jashtëzakonshme, por hap pas hapi”, tha Rama.

Rama është ndalur dhe në Sheshimn e Çërçizit, i cili po i nënshtrohet një rikonstruksioni në kuadër të projekteve të qeverisë të pagëzuara me emrin “Rilindja Urbane”.

“Është e rëndësishme që ne të mbyllim këtë pjesë dhe të vazhdojmë me pjesën sipër, të Unazës dhe sheshin e ri, që të jetë komplet pedonal, në mënyrë që të bëhet hyrja në Pazar. Kështu kompletohet ky aspekt, në aksin që fut dhe nxjerr njerëzit që vizitojnë Gjirokastrën. Pastaj është projekti tjetër i atyre 20 shtëpive të para që duam t’i “binjakëzojmë” si shtëpi të restauruara me shtëpinë e Kadaresë. Gjithashtu, edhe ndërhyrja që duam të bëjmë me Fondin e Zhvillimit, në pjesën poshtë për të pastruar të gjithë situatën rreth godinave të reja’, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri është ndalur dhe në Sarandë ku ka parë nga afër fillimin e punimeve për ndërtimin e një materniteti të ri dhe në këtë qytet.

Top Channel