Përplasja për draftin, Basha: Përvëlohet Parlamenti. Majko: Sherr për një gozhdë

18/06/2016 00:00

Me “djegie mandatesh dhe përvëlim të Parlamentit” ka kërcënuar Lulzim Basha, nëpërmjet Facebook-ut, dërgimin në Kuvend të draftit të ndryshimeve kushtetuese.

Por më shumë se një kërcënim për mazhorancën dhe Edi Ramën, të cilin e akuzon se kërkon me çdo kusht kapjen e drejtësisë, mesazhi i Bashës është për deputetët e opozitës, pasi i druhet një rrjedhjeje të votave.

“Çdo tentativë për të trafikuar qoftë dhe një mandat të vetëm opozitar me paratë e pista të drogës dhe krimit qeveritar do të rezultojë në djegien e mandateve opozitare, si hapi i parë drejt përvelimit të Parlamentit ilegjitim që do të jetë edhe përgjigjia e merituar e popullit ndaj një qeverie që i hap atij luftë, me çdo mjet që siguron fuqia e padiskutueshme e sovranit”, ka deklaruar Basha.

Për Bashën, rruga e vetme për një reformë në drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.

Por kërcënimit të Bashës i është përgjigjur po me anë të një postimi në Facebook deputetit socialist Pandeli Majko.

“Nëse një parti nuk kontrollon grupin e vet parlamentar, ky është problemi i saj i brendshëm. Ai nuk mund të kthehet në një problem të publikut dhe aq më tepër, kjo dobësi e brendshme partiake të eksportohet në sigurinë kombëtare të vendit”, është shprehur Majko.

Për Majkon, ky sherr është për një gozhdë, ndërsa drafti që 33 deputetë kanë depozituar në Kuvend nuk është akt i njëanshëm për destabilizim, por kërkon që Shqipërisë, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian t’i hapet një kapitull i ri. 

Top Channel