Operacion antiterror në Belgjikë, 12 persona në pranga

18/06/2016 00:00

Policia belge kreu 12 arrestime në kuadër të një operacioni masiv antiterror, thuaje tre muaj pas sulmeve vdekjeprurëse në Bruksel. Të arrestuarit dyshohet se po komplotonin për sulme të tjera terroriste.

12 të arrestuarit ishin mes 40 persona të tjerë u ndaluan për tu marrë në pyetje. Policia kreu kontrolle në 16 komuna, kryesisht rreth Brukselit. Në veçanti ra në sy kontrolli i 152 magazinave të dhëna me qira.

Prokurorët belgë thanë se gjatë këtij operacioni nuk u gjetën armë apo eksplozivë. Kontrolle u zhvilluan edhe në zonën Moelenbenk, një lagje famëkeqe e Brukselit për lidhjet e saj me xhihadistët.

Hetuesit belgë thanë se operacioni u krye pas hetimeve intensive që dolën në përfundimin se ishte e nevojshme një ndërhyrje e shpejtë. Pavarësisht operacionit, qeveria belge nuk ka rritur nivelin e sigurisë në vend.

Disa media, raportuan ditë më parë se policia belge kishte marrë informacione se një grup militantësh nga Shteti Islamik ishte nisur nga Siria drejt Europës me qëllimin për të kryer sulme terroriste në Belgjikë dhe Francë. Zyrtarisht këto zëra nuk janë konfirmuar, por sigurisht që nuk i kanë shërbyer ndjesisë së sigurisë në kontinentin e vjetër.

Top Channel