Putin: S’e kuptoj si i rrahëm mijëra anglezë

18/06/2016 00:00

Trazirat në Francë mes tifozerisë ruse dhe asaj angleze nuk mund t’i shpëtonin komentit të Vladimir Putin dhe në gjuhën e përdorur prej tij, gjeti vend edhe një ‘tallje’ e vogël për britanikët.

Duke folur në forumin ekonomik të Shën Peterburgut, shefi i Kremlinit u pyet mbi atë që u pa në rrugët dhe stadiumin e Marsejës para, gjatë dhe pas ndeshjes mes Rusisë dhe Anglisë.

Ai dënoi dhunën dhe tha se të gjithë ata që e aplikojnë atë nuk nderojnë skuadrën e tyre, e aq më pak sportin. Por pas kësaj shprehu habinë në një fakt.

“Unë nuk arrij ta kuptoj sesi 200 tifozë rusë rrahën me mijëra tifozë anglezë. S’e kuptoj dot! Shpresoj që mes tifozëve të ketë persona esëll në gjendje që të kuptojnë se me dhunë dëmtojnë skuadrën e tyre dhe sportin në përgjithësi”, deklaroi ai duke shkaktuar të qeshura në sallë.

Putin kërkoi nga autoritetet franceze një trajtim të barabartë për të gjithë shkaktarët dhe aktorët e dhunës.

Një grup prej rreth 20 tifozësh rusë, përfshirë këtu edhe udhëheqësin e tyre u dëbuan nga Franca për rolin e luajtur gjatë trazirave, ndërkohë që policia gjermane në Këln njoftoi ndalimin e pesë tifozëve rusë për rrahjen e dy turistëve spanjollë dhe udhërrëfyesit të tyre gjerman.

Top Channel