Razvan Rat: Shqipëria, skuadër e vështirë

18/06/2016 00:00

Rumunët nuk e konsiderojnë një ndeshje të lehtë sfidën me Shqipërinë dhe këtë e konfirmoi edhe mbrojtësi i krahut të majtë i tyre, Razvan Rat.

“Ndeshja me Shqipërinë do të jetë shumë e vështirë. Ata rezistuan deri në fundin e kohës së rregullt ndaj Francës. Ka shumë presion mbi ne, mbi të gjitha që askush nuk është i kënaqur me atë që na rezervoi shorti. Nuk do të jetë e lehtë pasi është e vështirë të fitosh, sidomos në finalet e një kompeticioni”, thotë ai.

Rat u zëvendësua në ndeshjen me Zvicrën si pasojë e një dëmtimi shpreson të jetë gati për përballjen e fundit në grup me Shqipërinë. Ish-kapiteni i rumunëve e pranon se përballë helvetëve patën dhe fatin me vete pasi edhe mund ta kishin humbur ndeshjen.

Rat shpjegon se gjatë ndeshjes pësoi një dëmtim në këmbën e majtë ku pak kohë më parë është operuar ndaj dhe preferoi të dilte jashtë fushës për t’i paraprirë ndonjë përkeqësimi të situatës.

Ndeshja me Shqipërinë është vendimtare edhe për rumunët sa u takon mundësive për të kaluar grupin.

Top Channel