Vrasësi i Orlandos komunikoi me gruan gjatë sulmit

17/06/2016 00:00

Vrasësi i Orlandos dhe gruaja e tij shkëmbyen mesazhe SMS gjatë masakrës në klubin e natës. CNN, bazuar në burimet e saj brenda forcave të rendit, shkruan se rreth orës 4 të mëngjesit të së dielës, dy orë pasi kishte nisur sulmi dhe ndërsa agresori përballej me policinë, Omar Matten i shkroi gruas së tij Noor Salman duke e pyetur nëse i kishte parë lajmet.

Mësohet se gruaja u përgjigj duke i deklaruar dashurinë e saj. Salman gjithashtu u përpoq t’i telefononte burrit të saj disa herë gjatë masakrës dhe përballjes me policinë, por ai nuk u përgjigj.

Policia dyshon se Salman e kuptoi menjëherë që bëhej fjalë për bashkëshortin e saj, sapo pa lajmet e para për sulmin në klubin e natës. Noor Salman është në qendër të vëmendjes së autoriteteve dhe pritet që ajo të paditet, ndërsa vazhdon hetimi për vrasjen e 49 personave dhe plagosjen e më shumë se 50 të tjerë në klubin e natës.

Salman ka dhënë disa dëshmi kontradiktore për ato që dinte për planet e burrit të saj dhe sipas policisë ajo nuk lajmëroi askënd për masakrën, pavarësisht se e dinte shumë mirë ç’do të ndodhte. Hetuesit thonë se Omar Mateen i fliste gruas së tij prej muajsh, në mos vitesh për atë që donte të bënte dhe ajo nuk reagoi as kur ai shpenzoi mijëra dollarë për të blerë armë dhe municione.

Ndërkohë, mediat raportojnë se shitësit e një dyqani armësh alarmuan autoritetet për Omar Mateen kur ai kërkoi të blinte veshje antiplumb të nivelit ushtarak. Por FBI dhe policia lokale nuk mund të identifikonin për cilin bëhej fjalë, pasi dyqani nuk kishte kamera sigurie dhe shitësit nuk kishin parë dot targën e makinës së tij.

Top Channel