Serbi, presidenti kinez mbërrin në Beograd. Dy vendet pritet të forcojnë lidhjet

17/06/2016 00:00

Presidenti kinez Xi Jinping nisi të premten vizitën shtetërore në Beograd, ndërsa Kina po përpiqet të avancojë më tej miqësinë tradicionale me Serbinë, duke forcuar lidhjet ekonomike me vendin ballkanik.

Kjo është hera e parë në 32 vite që një udhëheqës kinez viziton Serbinë, ndërsa është gjithashtu vizita e dytë e Jinping në Europën Qendrore dhe Lindore në më pak se 3 muaj. Gjatë qëndrimit treditor në Beograd, presidenti kinez do të takohet me homologun e tij Tomislav Nikoliç, si dhe politikanë të tjerë serbë, për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe, të ashtuquajturën nisma “një brez, një rrugë”, si dhe për çështje të ndjeshme globale e rajonale të interesit të përbashkët.

Gjatë vizitës pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh në sferën ekonomike, tregtare, të kapacitetit industrial dhe financiare. Presidenti kinez iu rezervua një pritje ceremoniale në Aeroportin “Nicola Tesla”, ku iu urua mirëseardhja nga Nikoliç dhe bashkëshortja e tij, kryeministri Aleksandar Vuçiç, kryetarja e Parlamentit, ministri i Jashtëm dhe ambasadori serb në Pekin.

Më pas, të dy udhëheqësit vizituan memorialin për viktimat kineze të bombardimeve të NATO-s, duke vendosur atje kurora lulesh. Presidenti serb deklaroi më herët se ka pritshmëri të mëdha nga vizita e Jinping, ndërsa shtoi se dëshironte forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, më shumë se çdo gjë tjetër.

Kina dhe Serbia kanë një histori të gjatë miqësie. Luftërat dhe problemet e shumëllojshme gjatë dekadave të kaluara nuk e kanë zbehur raportin e tyre.

Top Channel