Irak, çlirohet Falluxha. Bashkia nën kontrollin e autoriteteve qeveritare

17/06/2016 00:00

Forcat qeveritare të Irakut kanë marrë më në fund ndërtesën kryesore të qeverisë lokale në qytetin e Falluxhës, apo më mirë të themi Bashkinë e qytetit, duke zmbrapsur kështu militantët e Shtetit Islamik. Pas këtij suksesi, flamuri i Irakut është ngritur mbi ndërtesën e këshillit të qytetit, pasi u mor nën kontroll nga trupat e Forcave Antiterrorizëm, policia dhe ushtarët. Vetëm pak kohë më parë ata raportuan edhe vënien nën kontroll të disa zonave të tjera jugore dhe lindore të qytetit.

Falluxha, një qytet që ndodhet vetëm 50 km në Perëndim të Bagdadit, është mbajtur nën kontrollin e xhihadistëve më gjatë se çdo qytet tjetër në Irak apo në Siri. Grupi xhihadist mori nën kontroll zonën e dominuar nga arabët sunitë në janar të vitit 2014, 6 muaj përpara se të shtinin në duart e tyre pjesë të tëra në veriut dhe perëndimit të Irakut.

Forcat qeveritare nisën ofensivën e tyre për rimarrjen e Falluxhës rreth 4 javë më parë, pasi rrethuan qytetin, ndërsa periferitë e tij i kishin zotëruar prej disa muajsh tashmë. Mëngjesin e së premtes, trupat ushtarakë dhe policia mësyri qendrën e qytetit dhe morën institucionin e bashkisë.

“Çlirimi i ndërtesës qeveritare, e cila është edhe pika kryesore e referimit në qytet, simbolizon rikthimin e autoritetit shtetëror në Falluxha”, tha shefi i policisë federale, Raed Shaker Jawdat, i cituar nga agjencia e lajmeve “AFP”. Ai shtoi se forcat qeveritare hasën rezistencë të kufizuar teksa përparonin, por arritën t’i zmbrapsnin militantët xhihadistë, që duket se po rigrupohen në rajonet perëndimore të qytetit.

Një deklaratë e ushtrisë bënte të ditur se policia ishte duke lëvizur përgjatë “Rrugës së Bagdadit”, ura kryesore lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit që kalon përmes Falluxhës, ndërsa pjesëtarë të Antiterrorizmit kanë rrethuar edhe Spitalin e Përgjithshëm të qytetit.

Ende nuk ka ndonjë informacion mbi numrin e civilëve të bllokuar në qendër të Falluxhës, edhe pse dyshohet për mijëra, sikurse edhe mbi gjendjen e tyre apo mbi furnizimet me ushqime dhe ujë të pijshëm.

Top Channel