Conte: Po fitojmë respektin e munguar

17/06/2016 00:00

Pas fitores që i siguroi kualifikimin për në fazën e dytë të europianit, trajneri italian, Antonio Conte, shprehet i lumtur se ia dolën atë që pak kush e mendonte, kualifikimin pas dy ndeshjeve.

“Jemi të kënaqur, besoj se kanë qenë të paktë ata që besonin se ne do të kualifikoheshim pas dy ndeshjesh të luajtura, madje kishte shumë nga ata që besonin se ne nuk do ia dilnim mbanë të ishim pjesë e 16 ekipeve që do kalojnë në fazën tjetër.

Conte më tej ka vlerësuar se lojtarët e tij, e kryesisht mbrojtjen e cila siguroi që Buffon të mos ndjehet asnjëherë i kërcënuar.

“Në pjesën e parë u përballëm me një Suedi të mirë psikologjikisht, por edhe ne ia dolëm që të sulmonim në mënyrën e duhur. Besoj se Suedia nuk pati asnjëherë një mundësi për gol, Buffon nuk pati asnjë vështirësi.”

Jo vetëm tre pikëshi që siguroi kualifikimin, por edhe loja e treguar në dy ndeshjet e fundit sipas Contes po rikthen besimin e munguar tek një Itali që pak kush besonte. Gjithashtu ai thekson se edhe në ndeshjen e tretë lojtarët e tij do të zbresin për të marrë trepikëshin.

“Ne duam që të fitojmë edhe ndeshjen e tretë, kjo duhet të jetë e qartë. Ne jemi të uritur për fitore. Do fus në fushën e lojës një ekip që do kërkojë fitoren.

Italia ka 12 ndeshje radhazi pa humbje, 9 fitore dhe 3 barazime, një tjetër fakt që rrit shpresat e çdo tifozi italian për ngritjen e trofeut më 10 korrik në “Stade de France”.

Top Channel