Kosovë, Kuvendi voton për zgjatjen me dy vite të mandatit të EULEX

17/06/2016 00:00

Me 84 vota pro dhe 6 kundër, Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian, mbi Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, duke ia zgjatur mandatin me dy vite atij.

Ishte zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ai që prezantoi para deputetëve këtë projektligj.

“Në kuadër të takimeve negociuese kemi pasur për qëllim primar që të ruajmë sa më shumë që është mundur sovranitetin e Republikës së Kosovës, institucioneve tona, por të ruajmë e të shfrytëzojmë edhe ekspertizën e ekspertëve të BE-së. Në këtë drejtim kemi pasur qëllim të kemi një sistem unik të drejtësisë dhe besoj se kjo është e garantuar. Përfshirë këtu edhe gjyqtarë dhe prokurorë vendas dhe të EULEX-it, të cilët do të kalojnë përmes procedurave, Këshillit Gjyqësor dhe me emërim nga Presidenti i Republikës. Po ashtu kemi pasur për qëllim që menaxhimi i institucioneve të drejtësisë të bëhet nga institucionet tona, e besoj që edhe ky qëllim është arritur”, tha Kuçi.

E kryeparlamentari Kadri Veseli tha se, qëndrimi politik i PDK-së është që EULEX-it t’i vazhdohet mandati në Kosovë, pasi në fushën e sundimit të ligjit ka ngecje dhe se, ende nuk është arritur progresi i dëshiruar. Ai tha se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.

“Krimi i organizuar është vetëm krim dhe është mirë që të ndalen sulmet ndaj UÇK-së. Deri në shtator të vitit 1999 ka pasur Ushtri Çlirimtare të Kosovës, ka pasur komandantë. Për çdo sekondë të jetës së vet, çdo ushtar i UÇK-së merr përgjegjësinë dhe krenohet për të. Por le ta harrojnë të gjithë matrapazët, të gjithë akuzuesit që duan t’i detyrojnë ushtarët e UÇK-së të ulin kokën, për gjërat e këqija që kanë ndodhur pas shtatorit të 1999-s. Shpeshherë po vërehet një ngulm shumë i madh për të bërë fajtorë kryesor vetëm ushtarët e luftëtarët e luftës. Ka emra, e Kadri Veseli është një emër që ka qenë ushtar i UÇK-së. Në qoftë se keni diçka thoni Kadri Veseli, shkoni në prokurori. Mos iu frikësoni askujt, i keqi është i keq për çfarëdo që ka bërë dje, edhe në qoftë se ka qenë hero i luftës. Por paragjykimet ndaj luftës dhe ndaj luftëtarëve duhet të ndalohen”, tha ai.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa, i cili shprehu qëndrimet e qeverisë që ai drejton, por dhe partisë në krye të së cilës gjendet, tha se mandati i EULEX-it duhet të vazhdohet dhe të thellohet bashkëpunimi me këtë mision, me qëllim forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Ato dy ligje paraqesin një mendim të konsoliduar dhe të harmonizuar të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, qoftë atyre shtetërore, ashtu dhe atyre të drejtësisë. Ne kemi vlerësuar se EULEX duhet të mbetet edhe më tej, në mënyrë që të vazhdojë me lëndët që ka. Po ashtu të thellojmë bashkëpunimin për të forcuar sistemin e drejtësisë në vend, për të forcuar shtetin ligjor, për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe për të siguruar që qytetarët tanë të ndihen të sigurtë e të lirë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo sociale”, tha Mustafa.

Por nuk munguan as kritikat e ashpra në adresë të këtij misioni, për të cilin u tha se ka bërë fare pak që nga koha që ka ardhur, në fushën e sundimit të ligjit.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosja tha se bilanci final për EULEX-in është: shumë parà, pak rezultate kundër korrupsionit dhe tepër kompromise me krimin e organizuar dhe me strukturat e Serbisë. Nëse kjo është e vërteta, atëherë sipas tij nuk ka arsye për zgjatjen e mandatit të këtij misioni. Edhe Aida Dërguti, deputete e Vetëvendosjes, tha se EULEX-i nuk e kreu punën për të cilën pati deklaruar në kohën kur erdhi. Ajo tha se përkundër trumbetimit se do të zinte “peshq të mëdhenj”, në këto vite ka zënë vetëm “sardelet” dhe ka bërë disa arrestime spektakolare, që si qëllim kishin zgjatjen e mandatit të këtij misioni.

Kritika për EULEX-in kishte dhe Adem Grabovci , i cili tha se më shumë u dënuam ushtarët e UÇK-së, sesa kriminelët serbë që ushtruan gjenocid në Kosovë.

Top Channel