SHBA, 51 diplomatë i bëjnë thirrje Obamës për sulme ushtarake ndaj Assadit në Siri

17/06/2016 00:00

Më shumë se 50 diplomatë të Departamentit të Shtetit kanë nënshkruar një memo të brendshme kritike ndaj politikës së Shteteve të Bashkuara në Siri, duke bërë kështu thirrje për sulme ushtarake kundër qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad, në mënyrë që të ndalin shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit gjatë luftës civile të vendit.

Kabllogrami i “mospajtimit” është nënshkruar nga 51 oficerë të nivelit të mesëm dhe të lartë të DASH-it, të cilët kanë si detyrë parësore këshillimin mbi politikën amerikane në Siri.

Ai bën thirrje për “sulme ushtarake me objektiva të qarta” kundër qeverisë siriane, në prag të asaj që konsiderohet pragdështim i plotë i armëpushimit të ndërmjetësuar më herët gjatë këtij viti. Lajmi raportohet nga “Wall Street Journal”, që citon kopje të kabllogramit të rëna në duart e tyre.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili gjendet për një vizitë në Kopenhagen të Danimarkës, tha këtë të premte për “Reuters” se, “ajo është një deklaratë e rëndësishme dhe respektoj procesin e ndjekur tej mase. Do të kem mundësinë të takohem me këta njerëz kur të kthehem së shpejti në Uashington”. Por, kryediplomati amerikan tha se ende nuk e ka parë këtë memo.

Sulmet ushtarake kundër qeverisë së Assadit do të përbënin një kthesë madhore të politikës së administratës Obama, deri më sot të mosndërhyrjes drejtpërdrejt në luftën civile të Sirisë, ndërkohë që bënin thirrje për një tranzicion politik që do të shoqërohej me largimin nga pushteti të Assadit.

Sulme të tilla do t’i vendosnin gjithashtu Shtetet e Bashkuara në një kurs përplasjeje me Rusinë, e cila mbështet nga ana e saj Assadin me sulme ajrore kundër rebelëve opozitarë, por jo vetëm. Moska ofron edhe mjete ushtarake, trajnim të forcave qeveritare dhe këshilla ushtarake.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se deri më tani vetëm është njohur nga raportimet mediatike mbi këtë memo, por shtoi se “thirrjet për rrëzimin me forcë të autoriteteve drejtuese në një tjetër vend janë të papranueshme nga Moska”.

“Rrëzimi i këtij regjimi, apo i kujtdo tjetër, është i vështirë veçanërisht sa i përket ndihmës për të vazhduar me sukses luftën kundër terrorizmit. Një lëvizje e tij është e aftë ta fusë të gjithë rajonin në një kaos total”.

Top Channel