Atmosfera e Kampionatit Europian ka prekur edhe të apasionuarit pas tatuazheve, të cilët në këtë periudhë preferojnë të ‘gdhendin’ në trupin e tyre simbolet kombëtare. Shqiponja dhe portreti i Skëndërbeut është më i përdoruri.

“Tatuazhi është personal, çdokush ka zgjedhjen e tij dhe nuk bazohet në një motiv. Nëse kampionati është inspirim për tatuazhin patriotik, atëherë ky është momenti i duhur”, tregon Olsi Sejdi, organizator i takimit ndërkombëtar të tatuatorëve.

“Në këtë periudhë kur po luhet kampionati, shqiptarët kërkojnë simbolet e Shqipërisë. Për shembull Skëndërbeun, flamurin. Sot kam një takim me një djalë të cilit duhet t’i bëj një flamur”, tregon Gled Zalej, tatuator.

Mbi 100 tatuatorë nga vende të ndryshme të botës do të garojnë për tre ditë në Shoën Ndërkombëtar të Tatuazhit, i cili çeli dyert në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

“Janë pjesëmarrës nga e gjithë bota, duke filluar nga Ukraina, Brazili e duke përfunduar tek Italia dhe vendet e tjera fqinje. Këta do të tregojnë se si dinë të punojnë në këtë fushë, do të ofrojnë eksperiencën e tyre dhe do të përballen me njëri-tjetrin duke konkurruar, por gjithmonë si artistë e jo si kundërshtarë”, thotë më tej Sejdi.

Kjo garë do të ketë edhe fitues në kategori të ndryhsme, si: tatuazhi më i bukur me ngjyra, tatuazhi më i bukur me motive orientale, si edhe tatuazhi më i mirë i konkursit.

Top Channel