SHBA, debate pas masakrës. McCain tërheq akuzat për Obamën

17/06/2016 00:00

Republikani John McCain u tërhoq shpejt nga deklarata, ku e bënte Presidentin Barack Obama përgjegjës për sulmet ndaj amerikanëve, siç ishte ai i Orlandos në Florida, me argumentin se kjo situatë iu detyrohet politikave që kanë kontribuar në ngritjen e Shtetit Islamik.

Senatori nga Arizona foli për “Reuters” e u përpoq t’i zbuste komentet polemizuese. Gazetari këmbënguli të sqaronte pjesën e përgjegjësisë së shefit të Shtëpisë së Bardhë në masakrën e klubit të homoseksualëve, e mori këtë përgjigje:

“U shpreha gabim. Nuk desha të them se Presidenti është personalisht përgjegjës për këtë rast”, tha John McCain, senator republikan.

Pasi u takua me të mbijetuar e familjarë të viktimave të ngjarjes më të rëndë të këtij lloji në historinë e Shteteve të Bashkuara, Obama vet u shpreh se po të mos hidhen hapa për të kontrolluar dhunën si pasojë e armëve dhe terrorizmin e brendshëm, vrasjet nuk do të reshtin.

“Nëse nuk kalojmë në veprim, do të vazhdojmë të bëhemi dëshmitarë të masakrave të tilla, sepse do të jemi ne ata, që do të kenë zgjedhur t’i lejojnë të ndodhin”, tha Obama.

Por ndaj tij kishte ankesa edhe një republikan tjetër, kandidati presidencial Donald Trump.

“Sapo e pashë Obamën të flasë përçart dhe këtë e bën shpesh. E bën sepse në këtë vend po i rreshtojmë tragjeditë njëra pas tjetrës, ndërsa ai vetëm fajëson armët”, tha Trump.

Për të nderuar viktimat e Orlandos u mbajt një ceremoni e veçantë në Nju Jork, në memorialin e atyre që humbën jetën nga sulmet e 11 shtatorit 2001.

Top Channel